Gratë, gratë, gratë ... të lindura për t’u krenuar me to !
- Fakte Botërore
- May 17, 2019
- 2 min read
Në Festivalin e Këngës Eurovizion 2019 që po mbahet në Tel Aviv, Izrael, Gjysmëfinalja e Dytë kualifikoi 10 vendet e ardhshme për finalen e madhe të së Shtunës,në mes tyre Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
2004 ishte viti kur Shqipëria mori pjesë për herë të parë në këtë Festival të Këngës. Kënga "The Image Of You" e kënduar nga Anjeza Shahini në atë kohë kishte zënë vendin e 7-të në Finalen e Madhe me 106 pikë.
Ky ishte rezultati më i mirë i vendit në garë deri në vitin 2012 kur Rona Nishliu, e njohur jo vetëm si pop këngëtare e famshme, por edhe një muzikante eksperimentuese e xhazit, u radhit e pesta me një paraqitje të jashtëzakonshme me këngën "Suus" në Baku.
Këtë vit, Shqipëria përfaqësohet nga Jonida Maliqi në Festivalin e Këngës në Eurovizion. Talenti dhe zëri i saj shpërthyes e bëjnë atë të dallohet nga këngëtaret e tjera dhe magjepsëse për të gjithë publikun. Pasi u kualifikua në Gjysmëfinalen e Dytë, ajo do të jetë e dyta që do të performoj me këngën "Ktheju tokës tënde" në Finalen e Madhe të së Shtunës.
Maqedonia e Veriut u kualifikua gjithashtu në gjysmëfinalen e dytë. Në Festivalin e Këngës në Eurovizion, ajo mori pjesë për herë të parë në vitin 1998.
Rezultatin më të mirë ajo arriti në vitin 2006 me këngën "Ninanajna" të kënduar nga Elena Risteska, e cila u radhit e 12-ta në Finalen e Madhe me 56 pikë.
Këtë vit, vendi po merr pjesë nën emrin e ri Maqedonia e Veriut, ndërsa vitet e mëparshme, përkatësisht deri në vitin 2019, mori pjesë me emrin F.Y.R. Maqedoni.
Maqedonia e Veriut përfaqësohet nga Tamara Todevska me këngën "Krenare", një këngë dhe performancë e shkëlqyer nga ana e saj.
Ajo do të jetë e teta për të performuar në Finalen e Madhe të së Shtunës të Festivalit të Këngës Eurovizion 2019.
Çdo vend duhet të jetë krenar për kulturën, identitetin dhe rezultatet e arritura, por ato që më së shumti duhet t’i gëzohen rezultateve dhe të jenë krenare janë gratë që i kanë mundësuar këto rezultate.
Dhe padyshim, si Jonida Maliqi ashtu edhe Tamara Todevska na bëjnë të jemi krenarë.
Ju urojmë atyre sukses të madh në Finalen e Madhe të së Shtunës!
Comments